Ministri Malaj prezanton efektet e paketës fiskale: Do të rrisë të ardhurat 40 mln euro
Paketa fiskale 2027 pritet të sjellë 3.7 miliardë lekë të ardhura neto shtesë në buxhet, sipas Ministrit të Financave.

Paketa fiskale për vitin 2027 pritet të sjellë një efekt neto pozitiv prej 3.7 miliardë lekësh, ose rreth 40 milionë eurosh, në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Shifra u bë e ditur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë diskutimeve për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore të vitit 2027 në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave. Sipas ministrit, paketa përfshin nëntë masa fiskale, të cilat do të kenë ndikime të ndryshme në të ardhurat buxhetore, duke kombinuar ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), akcizat dhe procedurat tatimore.
“Efektet e Paketës Fiskale 2027 dhe masave buxhetore për vitin 2027, në masën 3.7 miliardë lekë (TVSH nga rritja e akcizës + TVSH nga ulja e pragut, minus TVSH nga 6% produktet e shportës plus TVSH nga rritja e normës)”, pohoi Malaj. Ministri prezantoi në komision efektet e pritshme në buxhet për masat e propozuara, duke sqaruar se disa prej tyre do të rrisin të ardhurat, ndërsa të tjera do të sjellin ulje të arkëtimeve për shkak të ndryshimeve në trajtimin fiskal.
Ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat pritet të sjellin 1.78 miliardë lekë
Një nga masat e paketës fiskale është projektligji “Për disa shtesa dhe një ndryshim në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”, i cili, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, pritet të ketë një efekt pozitiv prej 1.78 miliardë lekësh në të ardhurat buxhetore. Kjo masë është pjesë e ndryshimeve të propozuara në legjislacionin tatimor për vitin 2027 dhe përbën një nga zërat me ndikim të drejtpërdrejtë në parashikimet e të ardhurave të buxhetit.
Ndryshimet në TVSH, efekt negativ prej 1.58 miliardë lekësh
Paketa fiskale përfshin edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, i cili pritet të ketë një efekt negativ prej 1.58 miliardë lekësh në të ardhurat e buxhetit gjatë vitit 2027. Në përllogaritjen e efektit të përgjithshëm fiskal përfshihet edhe ndikimi i aplikimit të normës 6% të TVSH-së për produktet e shportës, si dhe efektet që lidhen me ndryshimet e tjera të normave të këtij tatimi.
Pragu i regjistrimit për TVSH ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me uljen e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 28.10.2026, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, ‘Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, është përcaktuar që pragu i regjistrimit për TVSH të ulet nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë, duke filluar nga data 1 janar 2027.
Ky ndryshim do të zgjerojë kategorinë e subjekteve që i nënshtrohen detyrimit për regjistrim në skemën e TVSH-së, duke përfshirë edhe bizneset që arrijnë kufirin e ri prej 5 milionë lekësh. Efekti i kësaj mase në të ardhurat buxhetore është përfshirë në përllogaritjet e përgjithshme të Ministrisë së Financave për paketën fiskale të vitit 2027.
Ndryshime edhe në procedurat tatimore dhe akcizat
Ministria e Financave ka përfshirë në paketën fiskale edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. Krahas tij, propozohet edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, efektet e të cilit pritet të pasqyrohen në të ardhurat e parashikuara për vitin 2027.
Sipas prezantimit të Ministrit Petrit Malaj, ndikimi i ndryshimeve në akciza, përfshirë TVSH-në që gjenerohet nga rritja e tyre, si dhe efekti i uljes së pragut të regjistrimit për TVSH, janë pjesë e përllogaritjes së efektit neto të paketës fiskale. Në total, nëntë masat e propozuara nga Ministria e Financave, pavarësisht ndikimeve pozitive dhe negative që kanë në zëra të veçantë të të ardhurave, pritet të sjellin një shtesë neto prej 3.7 miliardë lekësh, ekuivalente me rreth 40 milionë euro, në buxhetin e shtetit për vitin 2027.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)